Shkolla “Sotir Gura” Korçë i ka fillimet e saj që në vitin 1960. Fillimisht ka funksionuar si gjimnaz me emrin “Fuat Babani”. Nga viti 1965 dhe deri sot funksionon si shkollë 9- vjeçare. Në qytetin e Korçës njihet si një ndër shkollat më të vjetra dhe me traditë.
Shkolla publike 9-vjeçare “Sotir Gura” përbëhet nga 1 godinë me infrastrukturë bashkëkohore, rikonstruktuar në vitin 2012 nga ambasada amerikane. Shkolla pozicionohet në qendër të qytetit të Korçës, në lagjen 18, në kryqëzimin mes bulevardit "Gjergj Kastrioti" dhe rrugës “Theodhoraq Saro”. Shkolla është me dy kate, ka një oborr me sipërfaqe të konsiderueshme ku ndodhen mjediset e jashtme sportive dhe një kënd argëtues dhe një mjedis kryesor hyrës të gjelbëruar me pemë e stola. Oborri i shkollës është funksional për të realizuar orët mësimore dhe aktivitetet sportive.
Shkolla ka funksionuar dhe funksionon me dy turne. Në turnin e parë zhvillojnë mësim klasat I, II, VI-IX dhe klasa e parashkollorit, kurse në turnin e dytë zhvillojnë mësim klasat III-V. Është shkolla e dytë në qytet me numrin më të madh të nxënësve. Klasat kanë mesatarisht 24 nxënës për klasë. Në katin e parë ndodhen klasat I-V, klasa e parashkollorit, nëndrejtoria, kabineti dentar, dhoma e punonjësve të shërbimit, mjediset e edukimit fizik dhe palestra.
Në katin e dytë ndodhet drejtoria, salla e mësuesve, kabineti i informatikës, biblioteka dhe klasat nga VI-IX.
Shkolla me politikën e saj gjithëpërfshirëse ka mirëpritur ndër vite komunitet heterogjen nxënësish (komunitet rom, egjiptian, nxënës nga zonat rurale, nxënës të kthyer nga emigracioni etj.
Në këtë shkollë vazhdon akoma tradita e klasave sportive të profilizuara në disiplinën e basketbollit. Puna ndër vite, me nxënësit e klasave sportive që kanë bërë mësues të nderuar si: Pirro Dollaku, Eli Janku, Dhimitër Kacori, Emil Papa, Mondi Dushku, Vasilika Mico, Jolanda Trebicka, Thoma Spaho, Anesti Cale, Pandi Balli si dhe mësuesit sportistë basketbollistë : Sokol Jahollari Zamira Koleci, Tasha Poçari, Mirand Harizi, Ermand Temo, Artur Tashuli, Ilia Sholla, Majlinda Subashi, Ornela Lalaj, Eli Papa, Sofika Papa, Elena Doja, Fatjona Hariz, Xhesika Toska, Bruno Topi, Jorgo Pëllumbi, Marina Pëllumbi, Stela Dhimitri, Eni Jakova, Juxhin Mano ka sjellë në këtë shkollë një sërë çmimesh të para në aktivitetet e realizuara midis shkollave në rang qyteti dhe qarku.
Çmime të tilla si:
- Fituese e Kupës 24 Tetori, në mini futboll për femra në vitin 2006
- Fituese e kupës për djem në basketboll, në kampionatin lokal midis shkollave 9-vjeçare, maj 2006
- Fituese e kupës në minifutboll, në kampionatin lokal për femra në nëntor 2007
- Fituese e kupës në minifutboll në Lojrat Olimpike Rinore në 2008
- Fituese e kategorisë mikrobasket në turneun lokal të qytetit të Korçës, në mars 2010
- Fituese e vendit të parë për meshkuj në basketboll, maj 2014
- Fituese e kupës për vendin e parë në kampionatin e futbollit për femra midis shkollave 9- vjeçare në maj 2015
- Fituese e vendit të parë në krosin pranveror për femra në vitin 2015
- Fituese e vendit të dytë në atletikë për femra dhe meshkuj , në vitin 2015
- Fituese e kupës “ Pandi Balli”, në kampionatin e basketbollit për meshkuj maj 2017
- Fituese e vendit të parë në basketboll për djem, në ditët olimpike në vitin 2018
- Fituese e kupës “ Coka Cola” në rajonin e Korçës
- Fituese e vendit të parë për femra e meshkuj në basketboll në rang qarku në prill 2023
- Fitues i vendit të parë në kampionatin e basketbollit për djem në rang kombëtar “Ekipet sportive në shkolla” maj 2023.
Përveç çmimeve të fituara në disiplinat sportive shkolla “Sotir Gurra” është fituese e një sërë çmimesh të para dhe të dyta në konkurse të ndryshme si konkursi kombëtar “ Kuizi i Parasë” organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave dhe e Bankës së Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Përsa i përket çmimeve të fituara. Në konkurse kombëtare ka fituar dy herë vendin e parë në vitin 2019 dhe 2021 në konkursin “Java e parasë” duke përfaqësuar Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar në Bruksel. Në shkollë vazhdon tradita e klasave sportive të profilizuara në basketboll. Kjo ka sjellë që në aktivtetet sportive midis shkollave të fitojmë çmime kryesisht të para.
Shkolla “Sotir Gura” ka krijuar një traditë bashkëpunimi në kuadër të frankofonisë me shkollën “Claude Debussy” në Saint Germain en Laye në Francë. Shkëmbimi midis dy shkollave filloi në vitin 2007, ku u firmos kontrata midis mësuesit Michel Koszul dhe mësueses së frëngjishtes Irini Stratobërdha dhe në vazhdim nga mësuese Majlinda Kosta. Shkëmbimi i parë u realizua në vitin 2009.
Shkolla është fituese e vendit të parë në poezi dhe në këngë midis shkollave 9-vjeçare të qarkut të Korçës dhe pjesëmarrëse në shumë aktivitete dhe panaire realizuar nga shkollat dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit.
Me mbi 600 nxënës, shkolla jonë ofron një sërë aktivitetesh. Përmes klubeve të shumëllojshme dhe aktiviteteve jashtëshkollore, nxënësit tanë kanë mundësinë të ndjekin pasionet e tyre, të nxitin krijimtarinë, të mësojnë punën në grup duke rritur kështu efektivitetin e tyre dhe duke kultivuar rritjen personale.
Shkolla është pjesë e nismave të MAS-it si Shkollë Qendër Komunitare, pjesë e nismës Ekipet Sportive në Shkolla, programit "Arte, Zeje dhe Sport".
Në shkollën tonë punojnë: 44 mësues ,nga të cilët:
(të gjithë me arsim të lartë)
Në vitin mësimor 2023-2024 vazhdojnë shkollën 611 nxënës ku 303 janë femra dhe 308 janë meshkuj.
Ka:
Shkëmbimi midis dy shkollave: Sotir Gurra në Korçë dhe Claude Debussy në Saint Germain en Laye në Francë filloi në vitin 2007, ku u firmos kontrata midis mësuesit Michel Koszul dhe mësueses së frëngjishtes Irini Stratobërdha dhe në vazhdim nga mësuese Majlinda Kosta. Shkëmbimi i parë u realizua në vitin 2009. Grupet qëndronin një javë në Francë dhe nxënësit akomodoheshin në shtëpitë e nxënësve francezë pritës. Në të njëjtën mënyrë priteshin edhe në Korçë nga nxënësit shqiptar. Qëllimi i këtij shkëmbimi ishte vizitë kulturore dhe gjuhësore. Fëmijët mësonin të gjithë frëngjisht në shkollë dhe qëllimi ishte shkëmbimi i kulturave të dy vendeve pjesëmarrëse. Cdo grup ishte nga 25 nxënës dhe shoqëroheshin nga 3 mësues francezë dhe 3 shqiptarë. Fëmijët performonin përpara prindërve një spektakël ku prezantonin kulturën e vendit të tyre. Në vizitat kulturore përfshiheshin vizita të muzeumeve dhe vendeve me rëndësi kulturore dhe historike. Kjo vazhdoi deri në vitin 2019 dhe u ndërpre për shkak të krizës sanitare të Covid-19.
Copyright © 2024 Shkolla Sotir Gurra - All Rights Reserved.
Powered by Klelia Shkelqimi